Gjykata e Magjistraturës në Adelaide ka vendosur të pushojë njërën nga akuzat ndaj terapistes dhe influencueses shqiptare, Belina Pupa, që lidhej me kultivimin e një sasie të kontrolluar droge.

Sipas dokumenteve gjyqësore, akuza për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një pronë në zonën e Ascot Park nuk do të vazhdohet më, çka nënkupton se nuk ka vendim për fajësi apo dënim për këtë pikë. Megjithatë, procedimi për ndërhyrje të paautorizuar në furnizimin elektrik mbetet ende në zhvillim dhe është shtyrë për seancë më 25 nëntor 2025, në Gjykatën e Adelaide.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë periudhës 1 janar – 4 prill 2025. Vetë Belina Pupa është shprehur se çështja lidhet me një pronë të dhënë me qira, por që figuron në emrin e saj, duke kërkuar që opinioni publik të presë përfundimin e procesit gjyqësor për të pasur qartësi të plotë.

“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është në emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve dhe nuk mund të them më shumë deri në përfundimin e çështjes, për arsye hetimore dhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të shtrembëruar,” është shprehur Pupa.

Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj, aktori Elvis Pupa, ka reaguar ndaj lajmeve që kanë qarkulluar në media, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

“Jam i detyruar të reagoj pas disa lajmeve të rreme që pretendojnë se unë jam ‘arratisur’ apo ‘në kërkim’. Prej më shumë se një muaji ndodhem në Tiranë, ku po zhvilloj angazhime profesionale të planifikuara në Shqipëri dhe në Evropë. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe këtë situatë është manipulim,” ka deklaruar ai.

Sipas Pupës, bashkëshortja e tij vazhdon aktivitetin profesional dhe është plotësisht e lirë, ndërsa procesi gjyqësor do të ndjekë rrugën ligjore deri në fund.

“Fatkeqësisht, kemi parë deformime të lajmit për arsye sensacionalizmi dhe klikimesh. Jeta jonë është publike, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të abuzojë me dinjitetin tonë. Ne do ta përballojmë këtë me qetësi dhe transparencë,” përfundon reagimi i aktorit.