Deputeti socialist Arkend Balla ka reaguar pas seancës plenare të ditës së sotme, ku ishte parashikuar të mbante fjalën për projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Për shkak të zhurmnajës politike të opozitës, Balla nuk arriti të fliste në sallë, por përmes një reagimi publik ka ndarë përmbledhjen e fjalës së tij, duke theksuar se pastërtia e vendit dhe mbrojtja e mjedisit nuk janë çështje partie, por përgjegjësi e përbashkët.
Në postimin e tij, deputeti shkruan:
Sot isha përgatitur të mbaja një fjalë në Kuvend mbi projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Nuk e mbajta dot për shkak të zhurmnajës politike të opozitës, ndaj një përmbledhje të saj po e ndaj më poshtë me ju:
Sot, Kuvendi diskutoi një projektligj që shkon përtej aspektit teknik. Është një nismë me rëndësi qytetare, politike dhe europiane, që prek çdo familje, çdo biznes dhe çdo komunitet në vendin tonë.
Menaxhimi i mbetjeve mbetet një nga sfidat më të mëdha për qeverisjen vendore dhe mjedisin. Ai kërkon një qasje moderne, të integruar dhe të drejtë, që shikon përtej pastrimit të rrugëve, drejt zhvillimit të qëndrueshëm, shëndetit publik dhe edukimit qytetar. Ky projektligj vendos themelet për një sistem të ri e transparent, ku parimi “ndotësi paguan” bëhet standard dhe garanci për drejtësi mjedisore.
Si deputet i Durrësit, e njoh nga afër ndikimin që menaxhimi i mbetjeve ka në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e turizmit. Durrësi ka bërë hapa të rëndësishëm falë mbështetjes së qeverisë dhe angazhimit të Bashkisë, por ky ligj do të na lejojë të shkojmë më tej, me instrumente ligjore dhe financiare që forcojnë pushtetin vendor dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në çdo komunitet.
Ky projektligj harmonizohet me direktivat e BE-së dhe është një tjetër dëshmi se Shqipëria po ecën me reforma konkrete, jo me slogane, në rrugën e saj drejt integrimit europian.
Në një kohë kur disa zgjedhin ta politizojnë çdo temë, dua ta theksoj qartë: ndotja nuk ka ngjyrë politike. Ai që ndot lumin apo detin nuk është as majtas, as djathtas. Ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë që pastron vendin, jo politikë që ndot debatin publik.
Edhe pse nuk arrita ta mbaja fjalën në sallë, mesazhi mbetet i qartë: të gjithë kemi përgjegjësi për Shqipërinë që duam!





