Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Komisioni i Venencias në Shqipëri ka 2 kontribute kyçe. Gjatë fjalës në Konferencën “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, Rama u shpreh se kontributi i parë është Kodi Zgjedhor. Ndërsa sipas Ramës, kontributi i dytë është procesi i vettingut, që është dhe kyç në Reformën në Drejtësi. 

“Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet dy kontribute kyçe të zhvillimeve demokratike, kontributet për Kodin Zgjedhor që kanë mbështetur thelbësisht përmirësimin e këtij kodi dhe kanë forcuar standardet demokratike dhe kontributin historik, për reformën më të thellë dhe më të vështirë që ka bërë Shqipëria, reformën në drejtësi. Komisioni ka qenë udhërrëfyes i matur dhe një autoritet që na ka ndihmuar të orientohemi në drejtimin e duhur. Pa kontributin e Komisionit të Venecias do ishte e pamundur procesi i vettingut, proces kyç në reformën në drejtësi. Një proces që deri në momentin e opinionit të Komisionit të Venecias kishte jo pak kundërshti në rrethet profesionale. Komisioni i Venecvias ka fituar edhe fuqinë për tu imponuar dhe respektuar në të gjitha instancat. Opinionet e Venecias respektohen plotësisht në cdo nivel ndërkombëtar lidhur me cështjet që kanë të bëjnë me shtetin e të drejtës,” tha Rama.