Policia greke ka kapur dhe sekuestruar një sasi të madhe lënde narkotike, në kufirin greko-shqiptar. Në një zonë të Konicës në Janinë, policia gjeti 193 kilogramë e 212 gramë marijuanë. Lënda narkotike u gjet gjatë kontrollit të një automjeti të braktisur, e cila ishte me targa të huaja. Marijuana ishte e ndarë në 125 pako. Policia ka sekuestrar automjetin dhe lëndën narkotike, ndërsa ka nisur kërkimet për të zbuluar identitetin e drejtuesit të mjetit. 

Sipas të dhënave të policisë greke, vetëm në dy muajt e fundit, janë sekuestruar rreth 435 kilogramë marijuanë që dyshohet se vinin nga Shqipëria. Rastet janë regjistruar në Selanik, Kostur, Janinë dhe Igumenicë, përfshirë edhe një tentativë trafikimi përmes rrugës detare. Autoritetet greke kanë intensifikuar kontrollet përgjatë kufirit me Shqipërinë, pasi sasia e drogës së kapur gjatë muajve të fundit tregon se rrjetet e trafikantëve vijojnë të jenë aktive dhe po përdorin rrugë të ndryshme për të kaluar ngarkesat drejt territorit grek.