Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në Riad të Arabia Saudite, për Edicionin e 9-të të Future Investment Initiative, një prej forumeve më të rëndësishme globale për inovacionin, teknologjinë dhe investimet e qëndrueshme, që mbledh liderë botërorë e sipërmarrës për të diskutuar mbi të ardhmen e ekonomisë globale.

I ftuar në një prej paneleve për të diskutuar, ku mes të tjerëve ishte edhe kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, i pyetur nga moderatori, kreu i qeverisë u shpreh i shqetësuar për situatën gjeopolitike aktuale, kryesisht për luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, kërcënimeve të kësja të fundit me planet bërthamore dhe situatën ku u kap Evropa e papërgatitur dhe pa plane të hershme.

“Europa nuk kishte plan paqeje, ndërkohë që e vuri veten në autopilotin e SHBA-ve deri tani. Kishte hequr dorë nga të gjitha dhe tani ngeci tek armatimet. Është shqetësuese të mbetesh të plani i armatimeve”, tha kryeministri.

Më tej ai shtoi se nuk i takonte të jepte leksione apo të tregonte se çfarë duhet të bëjë njëri apo tjetri vend, por shprehu trazimin e tij për situatën ku ndodhet bota, nën kërcënimin e armëve bërthamore dhe rrezikut të paqes.

“Jam kryeministër jetëgjatë i një vendi të vogël. Nuk më takon mua të bëj leksion dhe të them se çfarë duhet të bëjnë të tjerët, por si evropian i shqetësuar ndihem i trazuar se fjala armë bërthamore është kthyer në fjalor të zakonshëm, kurse më parë nuk përdorej nga askush. Se çfarë duhet të bëjë e të mos bëjë Europa nuk është punë e Shqipërisë, edhe pse kështu është mirë kështu, sepse kur Evropa ka sukses, kemi edhe ne. Nuk ka asnjë vend të pasur që të jetë i shëmtuar”, tha Rama mes të tjerash në fjalën e tij.