Kryeministtri Edi Rama ka zgjedhur t’i urojë shqiptarëve mirëmëngjes dhe ditë të mbarë me një video nga Veliera e Durrësit, e cila nisi të ndërtohej në fund të vitit 2016 dhe tashmë duket se është në detajet e fundit teknike të projektit.

Kreu i ekzekutivit nuk lë pa ironizuar edhe ata që sipas tij u bënë pengesë për këtë vepër të arkitektit të mirënjohur Marco Casamonti, e cila do të jetë “shembëlltyrë tërheqëse e Durrësit Turistik 2030“.

“Veliera”, e ndërtuar shumë pranë hyrjes së portit të Durrësit dhe Kullës Veneciane, është një nga projektet më të kushtueshme në qytetin bregdetar dhe përgjatë viteve për ndërtimin e saj janë alokuar fonde shtesë (5 tendera janë zhvilluar për “Velierën”), të cilat arrijnë vlerën totale rreth 10 milionë euro.

“MIRËMËNGJES

dhe me mendimin e kohës së madhe të çuar dëm nga gjithëfarë të varfërish nga mendtë e kokës, që nuk lanë dy gurë bashkë për ta penguar këtë vepër të bukur urbane të arkitektit të mirënjohur Marco Casamonti, e cila tanimë është në detajet e fundit teknike, si një shembëlltyrë tërheqëse e Durrësit Turistik 2030, ju uroj një ditë të mbarë”,- shkruan Rama.