Pika e fundit e diskutimit në kryesi nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte çështja e hapjes së partisë.
Duke pranuar këtë çështje si një element thelbësor për të luftuar dhe rrëzuar regjimin, ai deklaroi se ishte dakord dhe kërkoi nga të pranishmit që të niste puna në bazë me anëtarësinë dhe qytetarët, për të realizuar hapjen e partisë, ripërtëritjen e saj, duke afruar sa më shumë të rinj.
“Për çështjen e hapjes dua t’ju them ju se kjo duhet bërë. Duhet të bindim anëtarësinë tonë për hapjen. Ne duhet të hapemi. Vullnet të hekurt për imazh të ri, vullnet për ripërtëritje të fortë dhe për t’u hapur. Janë vlera jetike si ajri këto, ndaj duhet të bindim anëtarësinë tonë. Asgjë nuk do na përcaktojë ne dhe fatin tonë sesa një ripërtëritje e fuqishme”, tha Berisha mes të tjerash në fjalën e tij.
Teksa vuri në dukje se opozita përballet me vështirësi të mëdha edhe për shkak të censurës së qeverisë, duke kontrolluar pjesën më të madhe të medieve, kreu i selisë blu kërkoi mobilizim të gjithanshëm dhe deri protesta paqësore dhe të fuqishme, si mjeti i vetëm që ka ky formacion politik në dorë përballë pushtetit.
“Opozita nuk ka pushtet, por ne do luftojmë. Do të bëjmë protesta të fuqishme dhe paqësore. Të mobilizohemi. Ne duhet të përqendrohemi tek ripërtëritja dhe të rinjtë”, përfundoi Berisha.





