Me hidhërim të thellë është njoftuar ndarja nga jeta e mjekut të njohur otorinolaringolog, Dr. Anastas Qerimi, i njohur me dashuri nga qytetarët e Durrësit si Dr. Caci. Ai u shua në moshën 80-vjeçare, më 21 tetor 2025.

Lindur në Durrës më 3 korrik 1945, Dr. Qerimi iu përkushtua me pasion profesionit fisnik të mjekut. U diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1969 si mjek i përgjithshëm dhe nisi menjëherë punën në qendrën shëndetësore të Shkozetit. Më pas kreu specializimin në Otorinolaringologji, duke u bërë një nga emrat më të respektuar të kësaj fushe.

Në vitet 1973–1978 ai shërbeu si drejtor dhe mjek ORL në spitalin e Ishmit, ndërsa periudhën 1978–1982 e vijoi si mjek kirurg ORL në spitalin e Durrësit. Nga viti 1982 deri në 1986 punoi në Spitalin e Kavajës, për t’u rikthyer më pas në Spitalin dhe Poliklinikën Qendrore të Durrësit, ku shërbeu deri në daljen në pension.

Kolegët dhe pacientët e kujtojnë Dr. Qerimin si një mjek të përkushtuar, njeri të qetë dhe të dashur, që u shqua për profesionalizëm dhe humanizëm në çdo rast. Ai la pas një trashëgimi të vyer njerëzore dhe profesionale që do të mbetet gjatë në kujtesën e qytetit.

Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. U prehtë në paqe.