Për dy dekada me radhë, ky dyqan i vogël suveniresh në Durrës ka pritur e përcjellë me mijëra turistë e vizitorë.
Ata janë larguar prej tij duke marrë me vete një copëz Shqipërie.

Por muajt e fundit, ekzistenca e mëtejshme e këtij biznesi të vogël është vënë shumë në diskutim prej projektit TID.
“Para vitesh ka qenë Landi, kryetari i komunës, bashkë me 4 amerikanë, njëri prej të cilëve fliste shqip. U bëra kurioze dhe i pyeta. Më tha: Ne po shohim se ky dyqani i vogël është për restaurim. Mendojmë se do të bëhet shumë i bukur, me gurë, me kangjella. Edhe nëse do të të merret një metër këtu (tregon majtas) do të të kalohet metri tjetër andej (tregon djathtas). Do të të rregullohet dyqani do të të bëhet fantastik, siç i kemi bërë në Krujë. Po ta dija se do ta prishnin, siç po lëviz tani, do të kisha lëvizur përpara”.– thotë Rita Kazazi për “DurrësLajm”.
Ajo ka qenë përgjatë këtyre dy muajve të fundit, zëri më luftarak i 74 familjeve durrsake, që do t’u prishen shtëpitë e bizneset.

Kur sheh shtëpinë njëkatëshe të saj dhe dyqanin e suvenireve, që do të prishet për dy stola siç thotë ajo, revolta e kësaj 73-vjeçareje forcohet edhe më shumë
“Në botë nuk është dëgjuar të prishet shtëpia për dy stola. Të ishte ndonjë projekt për rrugë, spital etj do isha dakort”.
Ngjitur me shtëpinë e saj është një godinë dykatëshe, e braktisur prej vitesh, e cila do të restaurohet. Dy shtëpi ngjitur njëra-tjetrës, por me dy fate shumë të ndryshme. Për 64 m2 truall, nga të cilat 53 m2 ndërtim, familja Kazazi dëmshpërblehet me 47 milionë lekë të vjetra.
“Kur them politike, është tamam politike, sepse këtë dy katëshen e ka një njeri i politikës. Babai dhe nëna e Spartak Kovaçit. Kjo është thjesht me më prish mua, me i hap oborrin këtij. Edhe pastaj më thonë mos bërtit. Do bërtas, sepse është partiake për këta, jo për mua. Unë jam njeri i thjeshtë, dua të jetoj këtu. Më japin 47 milionë lekë të vjetra. As garsionerë nuk blej dot, se ishin bërë 50 milionë.“
Me patosin që e karakterizon kur flet gjatë protestave, Rita është bërë shumë virale në rrjetet sociale.
E pikërisht prej këtyre videove, shumë klientë të rregullt të saj kanë mësuar fatin e trishtë, që rrezikon të ketë ky biznes i vogël.
“Një çift nga Kosova erdhi më takoi. Më thanë të bëjmë një foto bashkë ta kemi kujtim, por kjo është terrorizëm të prishet një suvenir, i vogël, i bukur.“
Ritës 73-vjeçare ka disa muaj që i është prishur qetësia. Edhe kjo grua, nënë dhe gjyshe kaq luftarake ka momentet e saj shumë të brishta.
“I bëj thirrje kryetares së bashkisë, bashkë me stafin e vet. Të lutem më lër të vdes këtu. Është një thirrje që edhe tani që po flas më vjen të qaj… (përlotet). Është turp të heqësh durrsakun puro për dy stola!”

Prej ditësh, 74 familjet që preken nga zbatimi i projektit TID kanë nisur të kërkojnë mbështetjen e familjeve durrsake për nënshkrimin e peticionit kundër shpronësimeve të padrejta.
Rreth 500 qytetarë janë solidarizuar me kauzën e banorëve të zonës historike të Durrësit, sepse nesër fatin e këtyre familjeve që rrezikojnë shpronësimin mund ta kenë dhe shumë të tjerë.
“Më thonë sot ra plani këtej, nesër vjen tek shtëpia jonë. Dmth e kanë jetën të pasigurt, jo unë, por çdo durrsak dhe shqiptar në këtë vend”.
M.B.





