Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mandatuar këtë të martë kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufcën për kryeministër të vendit. Osmani u shpreh se vendimi i saj është në përputhje me tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese.
“Në përputhje me Kushtetutën dhe me të gjitha aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, kam mandatuar z. Glauk Konjufca si kandidat tjetër për kryeministër, ashtu siç qartë e kërkon dhe e përcakton neni 95, pika 4, si edhe vetë praktika e Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani.
Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës e detyron presidentin të emërojë mandatarin e dytë në rast se përpjekja e parë dështon.
“Kushtetuta nuk thotë ‘mund të emëroj’, por thotë ‘emëron kandidatin tjetër’ në rast se dështon i pari. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit ta emërojë mandatarin e dytë,” tha Osmani.





