Përmbaruesi ka nisur sot procedurat për lirimin e vilës nr.36 në plazhin e Durrësit nga 16 familjet që banojnë aty që prej 35 vitesh.

Veprimet përmbarimore janë shoqëruar me deklarata ekstreme nga familjarët, të cilët rrezikojnë të përfundojnë në rrugë.

“Do të hidhem nga pallati”,- ishin fjalët e njërës prej banoreve.

32 familjet që po nxirren nga përmbarimi prej 2 vilave nr.36 dhe nr.38 gëzojnë statusin të pastrehë dhe janë sistemuar aty që në vitin 1991.

Edhe pse janë ende në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit, përmbaruesi vijoi sot me procedurat e lirimit të banesave. Sigurim padia e kërkuar në gjykatë nga banorët nuk është marrë ende në shqyrtim, pasi çështja i takonte gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, i cili u vra në sallën e gjyqit.

Banorët e konsiderojnë të padrejtë faktin se po nxirren nga shtëpitë pas 35 vitesh.

Këtyre të pastrehëve, alternativa e vetme që u është dhënë nga bashkia është të aplikojnë në e-albania për të përfituar nga programet e strehimit. Por sistemimi i tyre në banesa të reja duket thuajse i pamundur, pasi siç tregon invalidi Petrit Borovina, në takim kryetarja e bashkisë Durrës u ka thënë se janë dhe mbi 3000 të pastrehë të tjerë në qytetin bregdetar.

Ditën e enjte pritet që përmbaruesi të kryejë të njëjtat procedura në godinën e dytë, vilën nr.38, ku banojnë 16 familjet e tjera.

Më 20.09.2012, Ministria e Financave dhe Bashkia Durrës ia shitën vilat nr.36 dhe 38 shtetasit Mikel Noçka, i cili tani kërkon lirimin e godinave. Që nga ajo kohë 32 familjet kanë kaluar nëpër një kalvar të gjatë gjyqesh.

M.B.