Gjatë mbledhjes ë Konferencës së Kryetarëve ditën e sotme në Kryesinë e Kuvendit, u dëgjua edhe prezantimi i projektbuxhetit 2026 nga ministri i Financave, Petrit Malaj.

Opozita kundërshtoi dëgjesën pa një paketë fiskale prezentë, por pas diskutimeve të mbajtura mes deputetëve prezentë në Konferencë, u vendos që për efekt të kalendarit të Kuvendit, afateve kohore dhe qëllimit, të dëgjohej fjala e ministrit, i cili renditi prioritetet dhe arritjet.

“Ky projektbuxhet reflekton prioritetet e qeverisë për vitin 2026, arritjet, rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë. Nuk është thjesht një dokument financiar ky projektbuxhet. Është kontrata e qeverisë me qytetarët, nëpërmjet të cilës mbahen nën kontroll financat publike dhe rritet më tej standardi i jetesës së qytetarëve shqiptarë. Fokusi do jetë te mirëqenia sociale, infrastruktura, dixhitalizimi, kapitali njerëzor, rritja ekonomike, përmirësimi fiskal dhe integrimi në BE”, tha Malaj.

Ai u fokusua gjithashtu tek vendimet e qeverisë që ka marrë për reformën e pensioneve dhe pagave, në rritjen e tyre progresive dhe indeksimin.

“Por edhe reforma e pensioneve. Nga janari 2026 do të ketë rritje mujore pensionesh, si ai urban dhe rural, me rritje progresive. Po kështu edhe rritja e pagave, duke e rritur në 50 mijë lekë nga 1 janari dhe 70 mijë lekë deri në fund të mandatit, me qëllim rritjen e dinjitetit dhe barazinë me vendet e tjera të rajonit dhe më tej. Indeksimi i pagave një herë në dy vjet për shumë kategori”, u shpreh ministri.

Malaj foli edhe për stabilitetin ekonomik dhe parashikimin e të ardhurave që vjen me rritje nga viti në vit, duke i krahasuar. Edhe rritja ekonomike për këtë vit ishte sipas parashikimeve dhe në parametra e standarde evropiane.

“Të rruamë stabilitetin financiar. Rritja ekonomike ishte 3,9%. Kujdes edhe tek makroekonomia, por edhe te të gjitha fushat e ekonomisë. Papunësia ka rënë me mbi 3% këtë vit, punësimi është rritur ndjeshëm dhe ekonomia po bëhet tërheqëse. Deficiti ka rënë, po ruhen parametrat ekonomike në raport me faktorët e jashtëm. Të ardhurat parashikohen 826 miliardë lekë”, tha kreu i Financave para anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve.