Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për të nxjerrë në pah pasojat e rrezikshme që sjellin ligje të tilla si ky që po diskutohet sot. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Berisha tha se ky ligj nuk ka të bëjë me mbrojtjen e barazisë gjinore, por me një ideologji të rrezikshme që synon të përmbysë rendin natyror dhe themeloret e shoqërisë.
Sipas tij, ky ligj i rrezikon vlerat e familjes, duke sjellë një transformim radikal të identitetit gjinor dhe duke kërcënuar të drejtat themelore të qytetarëve, veçanërisht të prindërve në edukimin e fëmijëve të tyre.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo seancë është një seancë krejt tjetër nga çdo seancë që keni ndjekur gjer sot. Këtu kanë sjellë një ligj të quajtur në thonjëza për barazinë gjinore, por një ligj kryekëput ideologjik, i cili bazohet absolutisht në përmbysjen e rendit gjinor binar shekullor dhe mijëvjeçar. Në përmbysjen e familjes dhe vlerave të saj. Në përmbysjen e librave të shenjtë dhe moralit të tyre. Në përmbysjen e të drejtës prindërore për edukimin e fëmijës së tij. Në përmbysjen e çdo standardi të njohur gjer sot. Theksoj dhe ritheksoj një mijë herë se do mbetem i paepur në bindjet e mia dhe në programet e partisë për barazinë midis burrit dhe gruas, për barazinë midis nënës dhe babait, midis motrës dhe vëllait.
Por, pikërisht kjo barazi sot zhduket. Sot merr goditjen më fatale sepse kjo barazi e bazuar në binaritetin grua dhe burrë, femër dhe mashkull, nënë dhe baba, tashmë transformohet në përkatësi të shumëfishta gjinore. Tashmë transformohet në gjini me diversitet të gjerë duke përmbysur Kushtetutën e Shqipërisë, nenet themelore të saj të lirive dhe të drejtave të njeriut, të lirisë së besimit, të të drejtave të prindërve mbi fëmijët e vet. Përmbyset kodi i familjes dhe kodet e tjera. Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky ligj i doktrinës post-marksiste, ekstremit të majtë më të rrezikshëm të kohërave, sepse Marksi nuk shkoi më përçudnimin dhe transfigurimin e familjes. Marksi përcaktoi shkatërrimin e pronës private për ndërtimin e njeriut të ri.
Kushti i Marksit për njeriun e ri, ishte njeriu pa pranë. Kushti i post-marksistëve për njeriun është njeriu pa familje. Qytetarë dhe qytetare, sillet në emër të direktivave të BE. Ekspertë të shquar kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE, në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore. Në asnjërën prej tyre nuk flitet për gjini me diversitet të gjerë. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit. I kërkoj të nderuarit ambasador të nxjerrë cila direktivë e BE e kërkon një gjë të tillë. T’u thotë shqiptarëve, se direktivat janë aty. Sepse ky ligj, është hedhur poshtë në 21 vende anëtare të BE. Sepse ky ligj, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016. Sepse ky ligj, de facto, u mohon prindërve të drejtën e edukimit të fëmijëve të tyre bazuar në dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë apo djalë. Apo natyra për ata që nuk besojnë Zotin. Sepse ky ligj, gjobit udhëheqësit fetarë, shpirtërore, në qoftë se ata besimtarëve do u parashtrojnë mësimet e Kuranit, Biblës, Talmudit. Sepse ky ligj, de facto, në shoqërinë post-marksiste godet familjen, godet identitetin familjar të bazuar në bizaritetin biologjik,” tha Berisha.





