Deputeti socialist Erion Braçe, teksa foli për gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin vjetor të vitit 2024, zbuloi edhe disa nga detajet pikante të shkeljeve apo sjelljes prej të forti të inspektorëve të drejtorive shtetërore, kryesisht në Dogana dhe Tatime.

Deputeti vlerësoi se KLSH kishte bërë gjetje të rëndësishme në shumë raste, duke nxjerrë në pah qasjen deri abuzive të drejtorive të caktuara.

“KLSH sjell në vëmendje disa problematika dhe çështje, e në radhë të parë klientelizmin si në Doganë, pasi cenon edhe sigurinë e operatorëve në treg me evazionin fiskal. Duke favorizuar disa dhe nxjerrë nga tregu disa të tjerë. E njëjta gjë vlen edhe për Tatimet, si gjetje e KLSH-së, por ajo që vjen në evidencë ka të bëjë me borxhin, që po rritet shumë më shpejt se masa e arkëtimit brenda një viti. Por më i madh bëhet shqetësimi kur tatimorët e organeve tatimore dalin jashtë sistemit elektronik të inspektimit, si kamerat apo GPS dhe kjo evidentohet”, tha ai.

Dhe më poshtë solli rastin e pazakontë nga një kontroll në kryeqytet, duke thënë se “bëjnë të fortin me të dobëtin dhe anasjelltas”.

“Dhe organet fiskale, e kanë këtë qasje dhe sjellje, sillen egër, shumë fortë me të dobëtin dhe mungojnë në drejtoritë më të rëndësishme thuhet në raportin e KLSH. Sjell në vëmendje këtë akt konstatimi apo gjobe. Një biznes, në Tiranë, në periferi të saj, do e lexoj se më ka bërë shumë përshtypje: në momentin e kontrollit rezulton se nuk lëshon faturë tatimore për gjizë në shqip, në shifrën 229 lekë për njësi, në sasinë 15 kilogramë. Dhe gjoba është 822 mijë lekë të reja, ose 8,2 milionë lekë të vjetra. E kjo vetëm për 15 kile njomëz apo gjizë”, u shpreh Braçe, duke publikuar nga foltorja e Kuvendit dokumentin e raportit, të cilin e lexoi para ligjvënësve në sallë.

Duke iu referuar fjalës së kreut të PD-së që akuzoi se ishin vjedhur 900 mln euro në nëntë muaj sipas raportit të KLSH, deputeti Braçe e quajti gënjeshtër patologjike.

“KLSH është auditi i jashtëm suprem, por që operon mbi bazë faktike. Nuk operon mbi bazë thashethemesh. Në raportin e KLSH nuk ka shifër të tillë që janë zbuluar 900 mln euro në 9 muaj. Këtu e kemi pasur raportin. Kjo histori që e thoni këtu dhe më pas e xhirojnë portalet duhet të marrë fund. Të thuash se në një vit u vodhën 900 mln euro, kjo të bën të mendosh për lajthitje ose gënjeshtar patologjik. Këtu e kemi kryetarin e KLSH. Në cilin rast nuk janë marrë në evidencë rastet nga SPAK? Cilën dosje ka refuzuar SPAK të hetojë?”, tha ligjvënësi mes të tjerash.