Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë pas publikimit të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke vlerësuar performancën e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të balotazhit. Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se VV-ja ka fituar në 7 komuna, krahasuar me 4 në zgjedhjet e kaluara dhe vetëm një në fillim të udhëheqjes së tij.
Ai e cilësoi këtë si një rritje të ndjeshme dhe sukses për subjektin, megjithëse pranoi se pritshmëritë kanë qenë për një rezultat edhe më të lart. Ai falënderoi gjithashtu qytetarët që morën pjesë në votime, duke theksuar se procesi u zhvillua në mënyrë demokratike dhe të qetë, duke reflektuar pjekurinë politike të elektoratit kosovar.
“Përgëzoj kryetarët e komunave që kanë qeverisur, Podujeva, Shtimja, Kamenica të cilave u janë bashkuar Gjilani, Mitrovica, Fushë Kosova dhe Obiliqi. Po presim rezultatet ende nga komunat e tjera, dhe do ju drejtohemi sërish. Tash po shkoj në tubimin festiv në Fushë Kosovë, pastaj në Kastriot dhe në Mitrovicë”, tha Kurti.





