Kosova ia përsëriti leksionin e proceseve zgjedhore Shqipërisë këtë të dielë, 9 nëntor. Ajo zhvilloi zgjedhjet në 18 komuna që dy javë më parë dolën në balotazh.

Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 dhe në orën 21:30, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet. Çdo parti e mori vesh në 2 orë fatin e vet. Kush fitoi, festoi dhe kush humbi, pranoi rezultatin. Procesi ishte i shpejtë dhe asnjë parti nuk pati pretendime për manipulime.

Por kur në Prishtinë u shpall rezultati, në Tiranë KQZ njoftoi se sapo kishte nisur numërimi i kutisë së parë në bashkinë e Tepelenës, një nga pesë njësitë ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme dhe ku votimi u mbyll në orën 18:00, ashtu si në Vlorë, Berat, Cërrik e Mat.