Kreu i PD-së, Sali Berisha, foli sot në mbledhjen e kryetarëve të degëve të PD-së për përplasjet me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, lidhur me ligjin për Barazinë Gjinore.

Berisha tha se ai nuk do ta pranojë kurrë ligjin, i cili u miratua një javë më parë me 77 votat e socialistëve.

Kreu i PD-së tha se kundërshtitë e tij me Gonzaton kishin lidhje pikërisht për këtë ligj.
Ai tha se ligjin që miratuan socialistët nuk e kanë pranuar 21 vende të BE.

Sali Berisha: Kundërshtitë e mia më këtë zotëri sigurisht që kishin lidhje me ligjin që s’mund ta pranoj kurrë. Një ligj që nuk e kanë pranuar 21 vende të BE. Gjykata Kushtetuese franceze e ka hedhur poshtë në vitin 2016. Ky ligj buroi nga ekstremi i majtë në SHBA, nga Sorosi.

Secili duhet të mbajë pikëpamjet e tij dhe të mbrojë atë që mendon. Por me atë që unë nuk bie kurrë dakord me të është sepse ky zotëri së pari u thotë deputetëve të PD-së dhe jo vetëm se narkoshteti për të cilin flet Berisha nuk e beson njeri as këtu as në Luksemburg.

Sigurisht sepse ti çon ato informacione që janë të pavërteta, se narkoshteti është realiteti më tragjik i shqiptarëve. Ligji më i keq i votuar në ndonjë vend të planetit. Ligji rikthen gjahun stalinist të shtrigave.