Gjykata e Posaçme ka dhënë dënimin ditën e sotme për 30-vjeçarin e deportuar nga Spanja Fabion Gjoni. Mësohet se Gjoni akuzohet për pjesëmarrje në një grup kriminal dhe trafik droge.
Gjithsej, Gjoni është dënuar me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të vuaj vetëm 6 vite e 8 muaj burg.
Njoftimi i Plotë:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale me të pandehur Fabion Gjoni, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/1, 284/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Flojera Davidhi dhe Rudina Palloj, me vendimin nr. 70, datë 11.11.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fabion Gjoni për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fabion Gjoni për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fabion Gjoni për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
4. Në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Fabion Gjoni me 10 (dhjetë) vjet burgim.
5. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fabion Gjoni t’i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
6. Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Fabion Gjoni do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë.
7. Sendet e sekuestruara të mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor për efekt të procedimit penal të ndarë me nr. 71/1 të vitit 2024





