Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me homologun italian, Guido Crosetto, nënshkruan një marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Italisë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Vengu thekson se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një faqe të re në partneritetin mes dy vendeve dhe shpreh optimizmin për të ardhmen e bashkëpunimit dypalësh.
“Shqipëria dhe Italia ndajnë histori, bashkëpunim dhe një perspektivë të përbashkët. Në kuadër të takimit ndërqeveritar midis dy vendeve tona, pata kënaqësinë të diskutoja me homologun tim Guido Crosetto mbi të ardhmen e bashkëpunimit tonë në mbrojtje dhe siguri, i cili do fuqizohet me nënshkrimin e marrëveshjes së re të bashkëpunimit. Një faqe e re në kapitullin e pasur të partneritetit tonë transadriatik, me vizione dhe interesa të njëmendta mbi sfidat e sigurisë në kontinentin tonë”, shkruan ministri.





