Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me socialistët në Njësinë nr. 2 në Tiranë, ku prezantoi pjesë të projektbuxhetit 2026 që lidhen me Bashkinë e kryeqytetit. Rama theksoi se buxheti i ardhshëm parashikon një rritje të investimeve në disa sektorë të zhvillimit.

“Paralelisht do të rriten investimet në infrastrukturë, në shëndetësi, arsim e me radhë. Projekti i buxhetit 2026 reflekton rritjen e ekonomisë dhe qëndrueshmërinë e saj, duke krijuar mundësi më të mëdha për investime dhe shpërndarje më të gjerë të burimeve,” u shpreh Rama.

Në fjalën e tij gjithashtu, Rama theksoi se një nga shtyllat kryesore të buxhetit është “paqja fiskale”, një instrument i ri që synon lehtësimin e sipërmarrjes dhe rritjen e stabilitetit ekonomik.

Rama foli edhe lidhur me rritjen e pensioneve dhe pagës minimale. Rama theksoi se do të rritet mbështetja për pensionisët teksa foli edhe me shifra. Sipas tij kjo mbështetje do të shkojë 1.7 miliardë euro.

“Projekti 2026 është një projekt që e shpreh në të gjithë arkitekturën e vetë atë që thashë, rritjen ekonomike, qëndrueshmërinë”, tha Rama.