Një automjet është qëlluar me armë zjarri në ecje pranë rrethrrotullimit të Koplikut, në rrugën Shkodër-Hani i Hotit.
Shoferi i mjetit ka pësuar aksident gjatë tentativës për t’i shpëtuar plumbave dhe ka lënë makinën e tij në vendngjarje.
Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas burimeve, automjeti është përplasur në bordurën e një karburanti gjatë tentativës për t’u larguar nga sulmi.
Njëra anë e makinës është e dëmtuar, ndërsa gomat janë shkatërruar. Pesë plumba janë gjetur në pjesën e pasme të mjetit, tek bagazhi.
Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Policia po vijon hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.





