Brenda 24 orëve nga ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një biznesi iu vendos lëndë plasëse, janë identifikuar katër persona të dyshuar. Tre prej tyre, Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika, janë arrestuar, ndërsa policia vijon kërkimin e personit të katërt.
Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Nënë Tereza” dhe, sipas hetimeve, lënda eksplozive është vendosur për shkak të një mosmarrëveshjeje financiare.
Dyshohet se të katërtit kanë kërkuar një shumë prej 500 000 eurosh nga pronari i biznesit, gjë që solli vendosjen e eksplozivit.
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë, ndërsa materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Tiranë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Motivi”.
Zbardhet brenda 24 orëve dhe dokumentohet, si rezultat i aplikimit të metodave proaktive, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një biznesi iu vendos lëndë plasëse.
Identifikohen 4 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 3 prej tyre, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe aplikimit të metodave proaktive, zbardhën dhe dokumentuan ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u vunë në pranga për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit:
-Jeton Lami, 31 vjeç, Florin Domi, 30 vjeç, Flogert Mezhika, 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L., 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





