Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ka reaguar pas një lajmi sipas të cilit Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e tij.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ahmetaj ka mohuar të ketë një kërkesë për ekstradimin e tij. Ai thotë se kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë, dhe ligji e parashikon që mund të bëhet vetëm një kërkesë.
Ndërsa sa i përket hapjes së hetimeve të reja ndaj tij aga ana e SPAK për një transfertë prej 3 milionë euro të dyshuar drejt Austrisë, Ahmetaj shkruan: “Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.”
Ndër të tjera, Ahmetaj e ka cilësuar lajmin se si “zhurmë e iniciuar me qëllim nga regjimi”, që sipas tij ka për qëllim të heq vëmendjen nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
Reagimi i Ahmetajt:
Një qëndrim përsa i përket lajmit të sotëm të rremë që Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim, dua të sqaroj sa vijon:
- Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 Gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës…
- Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.
- Pse bëhet zhurma e iniciuar me qëllim nga regjimi??? E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
- Më shumë detaje, në vijim….





