Teuta vijon përgatitjet për sfidën e rëndësishme të kësaj jave ndaj Vorës, një ndeshje që pritet me interes të madh nga tifozët durrsakë. Grupi është rikthyer në stërvitje me intensitet të lartë, ndërsa fokusi kryesor është ruajtja e ritmit dhe përmirësimi i detajeve taktike për sfidën e së shtunës. Në këtë kuadër, një nga lojtarët me përvojë të skuadrës, Emiliano Vila, foli rreth atmosferës në ekip, pritshmërive dhe analizës së kundërshtarit.

Emiliano, skuadra vijon përgatitjet për ndeshjen ndaj Vorës. Si është atmosfera në ekip në këto ditë pune?

Atmosfera është shumë pozitive. Jemi kthyer në stërvitje me energji të reja dhe me dëshirën për të vazhduar ecurinë tonë. Grupi është i përqendruar dhe ka motivim maksimal, pasi çdo javë është vendimtare për objektivat që kemi.

Çfarë është fokusuar më shumë stafi teknik në këto seanca?

Stafi teknik ka vendosur theksin te intensiteti dhe organizimi taktik. Po punojmë shumë në fazën sulmuese, por edhe në mbylljen e hapësirave në mbrojtje, sepse Vora është një ekip që di të të ndëshkojë nëse i lë vend. Detajet janë shumë të rëndësishme këtë javë.

Si e vlerëson ekipin e Vorës? Çfarë duhet të ketë kujdes Teuta?

Vora është një skuadër e disiplinuar, që luan futboll të shpejtë dhe nuk dorëzohet lehtë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në tranzicionet e shpejta të tyre dhe të imponojmë lojën tonë që nga minuta e parë. Respekti është i domosdoshëm, por ne besojmë në forcat tona.

Çfarë presin tifozët nga Teuta në këtë duel?

Tifozët mund të presin një Teutë agresive, të përqendruar dhe me mentalitet fitues. Ata janë shumë të rëndësishëm për ne, prandaj do të bëjmë maksimumin për t’u dhënë një rezultat pozitiv.

Si ndihesh personalisht fizikisht dhe psikologjikisht për këtë ndeshje?

Ndihem mirë, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Kam punuar fort dhe jam gati të ndihmoj skuadrën. E rëndësishme është që të gjithë të jemi në formë dhe të japim maksimumin në fushë.