Porti i Durrësit ka regjistruar trend pozitiv në performancë gjatë 10 muajve të vitit 2025.

Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar–tetor 2025 në port janë përpunuar mbi 3.2 milionë tonë mallra, një rritje prej 7.28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e cila përkthehet në rreth 219 mijë tonë mallra më shumë. 

Importet dominojnë ndjeshëm në volumet e mallrave dhe janë rreth 3-fish më shumë sesa eksportet.

Sipas statistikave, në 10 muaj rezultojnë 2,442,518 tonë mallra të importuara, ndërsa 783,478 tonë janë mallra të eksportuara drejt tregjeve ndërkombëtare.

“Rritja e importeve me 27% tregon zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe demonstron rolin e Portit të Durrësit si një qendër e qëndrueshme furnizimi dhe distribucioni”,– thotë APD. 

Edhe sektori i konteinerëve ka shënuar rritje të ndjeshme. Gjatë dhjetëmujorit janë përpunuar 189,835 TEU, 15% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Trend rritjeje ka regjistruar edhe lëvizja e pasagjerëve me tragete. Në total, 694,310 udhëtarë kanë përdorur oortin e Durrësit nga janari në tetor. Ky fluks tregon një rritje prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

Statistikat dëshmojnë se kompleksi portual Durrës vijon të mbetet nyja më e rëndësishme detare dhe logjistike e Shqipërisë.