Nga Gëzim KABASHI

Vjeshta e këtij viti ka sjellë në galerinë e arteve pamore të Durrësit prodhimet më të mira të artistëve vendas, por edhe të huaj.
Artdashësit po ndjekin këto ditë me mjaft interes 52 punimet e piktorit Arben Kristani. Tablotë e autorit i japin qytetit bregdetar kryesisht aromën e munguar të maleve.

Bashkë me artdashësit, galeria “Nikolet Vasia” po kthehet në një pikë takimi të artistëve, si dhe të diskutimeve mes tyre.
“Ndjesi” që e ndeshëm edhe në ekspozitën me të njëjtin titull të Emjona Stasit, e cila u paraqit në galeri për të shtatën herë brenda disa viteve.

Kanë qenë me siguri diskutime frutdhënëse dhe të nevojshme, pikërisisht në mjediset e galerisë, të shtëpisë së tyre të përbashkët.
Kohë më parë, këtë e ka realizuar në studion e tij piktori Muhamet Malilaj, i cili bashkë me veprat e tij krijoi mundësinë e bisedave mes miqsh artistë.

Artistët do të preferonin për galerinë e tyre në qendër të qytetit edhe një sistem më efikas ekspozimi dhe ndriçimi, e po ashtu për kondicionimin e ajrit, por kjo nuk i ka penguar drejtuesit dhe punonjësit që t’i japin jetë një kalendari të ngjeshur për vitin që po mbyllet.

Vjeshta piktorike ka nisur me ekspozitën e përbashkët të autorëve Kamuran Goranci (RMV) dhe Abaz Hado (AL), me titull “Dy botë, dy realitete”.
Veprat e Fondit 100-vjeçar të Galerisë kanë alternuar pesë herë individualitetet artistike bashkëkohore gjatë vitit 2025, njëlloj siç përgatitet të ndodhë edhe me ekspozitën tradicionale “Gjurmë”, kushtuar festës së Nëntorit.

Nga pranvera deri në vjeshtë, galerinë e qytetit e kanë “vizituar” edhe piktorët Fatmir Vasjari, Agim Kumulla dhe Shpresa Milaqi, e cila ka shënuar një numër rekord ekspozitash në galeri, plot 12.
E ndërsa viti do të mbyllet me ekspozitën “Gjurmë Urbane” të arkitektit Valentin Voshtina, 2026 do të hapet me fotot që sjell nga Azia fotografi italian Massimo Saretta.

Fotografitë e kishin zbukuruar Galerinë edhe më parë, me veprat e autorëve shqiptarë dhe italianë, ndërsa Flamur Jakupi riktheu në memorie veprimtarinë e pallatit “Rinia”.
Galeria “Nikolet Vasia” ka mirëpritur edhe mysafirët e vegjël – piktorë të shkollës “Mihal Ekonomi” e plot veprimtari të tjera, që sollën në kujtesë artistët e ndjerë të daltës dhe penelit Zef Ujkaj, Agim Shami, Sabri Tuçi, Gavril Priftuli, Agim Faja dhe Sali Xhixha.

Duke iu rikthyer ekspozitës së fundit “Gjurmë penelatash” të autorit Arben Kristani, mësojmë se kjo është ekspozita e pestë që piktori ka çelur në qytetin tonë, me punime të tre viteve të fundit.

Me këtë rast po publikojmë edhe një intervistë të shkurtër të autorit të saj Arben Kristani:

-Cila është tematika e ekspozitës suaj?
-Janë peizazhe që përfaqësojnë të gjitha trevat shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Njëlloj edhe kostumografia dhe elemente të tjerë.

-Prej kohësh ju punoni si pjesë e grupit të artistëve në hapësirën vendase?
-Përveç piktorëve nga i gjithë vendi, Durrësi ka praninë e përhershme me Faush Vathin, Dashamir Gurabardhin, Aleksandër Lleshin, Emjona Stasin, e të tjerë. Puna në koloni na mundëson komunikimin më të afërt, shkëmbimin e përvojave. Kështu i largohemi unit profesional, pasi puna e përbashkët na krijon edhe një marrëdhënie profesionale konkrete.

-Një pjesë e veprave të ekspozitës kanë në sfond malet. Është një dashuri e vjetër?
-Unë kam lindur në Përmet dhe deri në rininë e hershme i kam thënë vetes: A do t’i realizoj ndonjëherë? Më vjen mirë që edhe këtu janë pëlqyer.

-A do t’i afroheni edhe detit?
-E kam në plan, por stili i punës dhe programi mund të ndryshojë. Sidoqoftë, ajo çka të ngjall deti përbën planin tim më të afërt.

Fundviti dhe festat mbledhin edhe më shumë piktorët në galeri. Është një ndjesi mjaft e bukur.
-Falemnderit dhe suksese!