Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, ka lëshuar sot një paralajmërim të fortë lidhur me rrezikun që përbëjnë kontratat e koncesioneve dhe Partneritetet Publike-Private për financat e vendit.

Në një deklaratë të gjatë dhe të argumentuar, Tabaku i cilësoi këto kontrata si “minat me sahat të Buxhetit”, duke theksuar se ato përfaqësojnë barrën më të madhe që rëndon mbi ekonominë shqiptare.

Sipas Tabakut, mbi gjysmën e kontratave koncesionare janë aktualisht nën hetim, ndërsa secila prej tyre mbart një “taksë korrupsioni” që rrit në mënyrë fiktive vlerën e projekteve, duke deformuar tregun dhe duke shpërndarë pasurinë publike tek një pakicë klienteliste. Ajo theksoi se paralajmërimet e FMN-së për rrezikun fiskal janë bërë prej vitesh, por qeveria ka zgjedhur t’i injorojë ato, ndërsa sot një pjesë e këtyre kontratave financohen madje edhe nga sektori bankar, duke rritur ekspozimin e sistemit financiar.

Tabaku nënvizoi se vlera totale e PPP-ve dhe koncesioneve ka arritur në afro gjysmën e Produktit të Brendshëm Bruto, një barrë që sipas saj do të rëndojë mbi Buxhetin dhe xhepat e shqiptarëve për 30 vitet e ardhshme. Ndërkohë, pavarësisht rritjes së taksave dhe ngarkesës fiskale, të ardhurat nga mbledhja e taksave vazhdojnë të mos e kalojnë nivelin 29% të PBB-së.

“Ky është sistemi socialist në veprim,” u shpreh Tabaku, duke e cilësuar modelin aktual të qeverisjes si një mekanizëm që ka “kapur prej fyti ekonominë shqiptare” dhe që shpërndan pasurinë e vendit tek një pakicë, ndërsa qytetarët paguajnë faturën për dekada.

Deklarata e saj vjen në kulmin e debatit për Buxhetin 2026, ku opozita ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence, rritje të borxhit të fshehur dhe rrezikim të stabilitetit fiskal përmes politikave të koncesioneve. Tabaku, e cila prej vitesh është një nga zërat më kritikë në çështjet ekonomike, e cilësoi këtë praktikë si “fytyrën e vërtetë të qeverisë socialiste”, duke kërkuar që modeli aktual të ndryshohet me urgjencë.