Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi theksoi se SHBA mbetet një aleat i çmuar i Shqipërisë, ndërsa bëri të ditur se me diplomaten amerikane diskutoi mbi çështjet kryesore të vendit, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai u shpreh se gjatë bisedës u ndanë edhe shqetësimet për atë që e quajti “regres të dukshëm të Shqipërisë në raport me standardet demokratike”.
POSTIMI I PLOTË:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë dhe ne jemi me fat që i kemi patur gjithmonë në krah, në çdo etapë të ekzistencës së shtetit shqiptar.
Sot, gjatë takimit me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike.
Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.





