Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ke deklaruar se është i gatshëm të paraqitet përpara SPAK-ut nëse do të thirret lidhur me hetimet e rihapura për ngjarjet e 21 Janarit 2011. Në një intervistë për “Syri.net”, Meta deklaroi se zbardhja e plotë e kësaj çështjeje është e domosdoshme për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Sipas tij, vrasjet e katër protestuesve më 21 janar 2011 kërkojnë një hetim shterues, gjithëpërfshirës dhe përfundimtar. Ai kërkoi që hetimi të mos kufizohet vetëm tek vrasjet, por të shtrihet edhe tek mosparandalimi i dhunës, që sipas tij ishte paralajmëruar publikisht.

Meta e cilësoi ngjarjen e 21 Janarit si një përzierje të papërgjegjshmërisë së politikës vendase dhe ndikimeve të agjenturave të huaja. Ai përmendi edhe “interesimin e Sorosit” pas ngjarjeve, duke pretenduar se një ndërhyrje më e hershme do të kishte shmangur dhunën.

PJESË NGA INTERVISTA:

Pyetje: SPAK ka nisur hetimet përsëri për 21 Janarin dhe së fundmi janë thirrur edhe Z. Berisha, Z. Basha, etj. Keni një koment?

Përderisa ka ende çështje të pazbardhura lidhur me vrasjet e ndodhura, padiskutim që hetimi duhet të jetë shterues, gjithëpërfshirës dhe përfundimtar, pasi ngjarje si 21. Janari 2011 apo 2 Prilli 1991 kanë tronditur rëndë paqen sociale dhe bashkëjetesën demokratike për një kohë të gjatë. Padyshim që hetimi duhet të japë përgjigje për të gjitha të panjohurat deri tani me vrasjet që ndodhën.

Por që të mos ndodhin ngjarje të tilla në të ardhmen është e rëndësishme të hetohet seriozisht për mosparandalimin e dhunës që ishte paralajmëruar publikisht nga vet organizatorët e protestës. Personalisht kam bërë çdo përpjekje për parandalimin e dhunës edhe për arsyen se kisha informacionin e duhur se synohej gjakderdhje me qëllim përmbysjen e Qeverisë sipas modelit të Pranverës Arabe.

Ndaj edhe më 14 janar 2011, një javë para protestës së paralajmëruar kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga Zv/Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë dhe i jam drejtuar vet Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar video-skandalin e publikuar për të justifikuar dhunën që ishte planifikuar prej shumë kohësh.

Publikimi i atij montazhi erdhi pasi më parë më ishte bërë një ofertë që të bëhesha Kryeministër me mbështetjen e Partisë Socialiste në mënyrë që të ikte Berisha nga pushteti. Pas refuzimit tim të prerë, orkestruan atë montazh, ku edhe me sy të lirë dalloheshin ndërprerjete time-code në video. Që nga 14 janari 2011 dhe në vazhdim kam denoncuar publikisht se si po përgatitej skenari për dhunë duke rekrutuar persona me precedentë në zona të caktuara.

Paralajmërimi i fundit publik i imi që i ka rezistuar censurës është në 19 janar 2011 nga selia e LSI. Po kështu, duke parandjerë një lloj nënvlerësimi të autoriteteve të kohës për seriozitetin e dhunës që po përgatitej, LSI përmes Sekretarit të Përgjithshëm në atë kohë i ka drejtuar edhe një shkresë zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me disa informacione konkrete paralajmëruese.

Edhe sot habitem se si nuk u parandalua dhe neutralizua kontigjenti i dhunshëm që përpara protestës. Për orë të tëra, policia u la në mëshirën e 100-200 elementëve të papërgjegjshëm që godisnin me gurë e çdo mjet që mundeshin. Si nuk u gjetën disa makina me ujë atë ditë? Apo me gaz, natyrisht jo nga ai kimiku që përdor Rama. Ndaj bashkë me epilogun tragjik të vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm duhet të hetohet edhe prologu i orkestrimit të dhunës së pajustifikueshme, të cilën nuk e bënë socialistët e thjeshtë por një kontigjent i parapërgatitur nga organizatorët.

A do ishit ju i gatshëm të jepnit deklarimet tuaja përpara SPAK-ut nëse do thirreshit? Pa diskutim sepse besoj se zbardhja përfundimtare dhe e plotë e kësaj çështje është një domosdoshmëri për të mos u përsëritur në të ardhmen. Me këtë rast dua të shpreh përbuzjen time për të gjithë ata që manipulojnë faktet dhe provat me video-skandalin e fabrikuar për të justifikuar dhunën që ishte planifikuar një muaj më parë. Siç dihet nga të gjithë ata që e kanë parë, atje problem nuk ishte te video, por te audio, pra ndërprerjet dhe manipulimet e zërit.

Çuditërisht, Prokuroria e Përgjithshme nuk e çoi te një ekspert audio, por te një ekspert video (kompjuterash) a thua se e kishte vënë njeri në diskutim se cilët ishin personat në video. Por pa dashje eksperti amerikan zbuloi te ora që ekspertoi edhe shumë video të tjera ku ishin përgjuar edhe shumë politikanë, qeveritarë, gazetarë dhe biznesmenë. Përfshirë këtu edhe një video ku merreshin në mos gaboj 80 mijë euro nga një vartës i tij në shtëpi, për të cilën nisi edhe një procedim penal.

Ndërsa përmendja e 700 mijë eurove kishte të bënte me shumën e harxhuar nga investitorët për projektet e dorëzuara në ministri për ndërtimin e 2 hidrocentraleve, në mos gaboj, për të cilat u ishte premtuar mbështetja nga ish-ministri, i cili nuk u kthente më përgjigje. 21 Janari në bindjen time të plotë ishte një përzierje e papërgjegjshmërisë së politikës vendase dhe ndikimit të agjenturave të huaja në institucionet vendase të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

Të mos harrojmë edhe interesimin e Sorosit për post 21 Janarin. Jam i sigurtë se nëse Sorosi do ishte interesuar fare pak para 21 Janarit, nuk do të kishte as vrasje dhe as dhunë.Ndërkohë hetimet për 21 Janarin nuk duhet të spostojnë vëmendjen nga hetimi i shpejtë i rrugëve super të shtrenjta që po rrëzohen, siç shohim çdo ditë.

Para dy vitesh kam paralajmëruar publikisht nga Shkodra për rrezikun e shembjeve të rrugëve të reja, që po ndërtoheshin, si ajo Korçë-Ersekë apo ajo e Kardhiqit që ishte ndërtuar. Vetëm një javë pas kësaj deklarate u shemb rruga e re për Ersekë, që do inagurohej, kur shkova e pashë në vend u shokova pasi ajo kishte vetëm një tegel asfalt dhe vetëm dhe e rërë.

Në raste të tilla përgjegjësia e supervizorëve është fatale pasi ata duhet të kontrollojnë në çdo hap cilësinë e punimeve dhe sigurinë e rrugës. Por më e rëndësishme është përgjegjësia e atyre zyrtarëve që marrin në dorëzim vepra të tilla, që rrëzohen ende pa u inaguruar. Nuk duhet të presim të ndodhin tragjedi njerëzore, si ajo e Nishit për të vënë para përgjegjësisë shpërdoruesit e qindra milion eurove.