Dy inspektorë të AZHBR-së dhe 6 veterinerë të Drejtorisë së Bujqësisë në Pogradec janë pezulluar nga detyra për shkak të abuzimeve me skemën e mbështetjes për fermerët.
Njoftimi
Finalizohet nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një periudhe hetimi prej 18-muajsh, operacioni policor i koduar “Green Code”.
Pasqyronin të dhëna të rreme në aktet e verifikimit gjatë kontrollit në fermat e përfituesve nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët, pezullohen nga detyra 2 inspektorë të AZHBR-së dhe 6 veterinerë të DBP-së.
Shpallet në kërkim 1 inspektor i AZHBR-së.
Specialistët për Hetimin e Krimeve, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, pas një hetimi 18-mujor të kryer me metoda speciale të hetimit, finalizuan operacionin policor të koduar “Green Code”, si rezultat i të cilit:
u pezulluan nga detyra, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim”, shtetasit A. M., 33 vjeç dhe J. Z., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektorë në AZHBR;
D. Ç., 57 vjeç, dhe F. I., 54 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë veterinerë pranë Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec.
për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim”, ndaj shtetasve E. Gj., 56 vjeçe, banuese në Pogradec, me detyrë veterinere kontrolli, dhe P. R., 66 vjeç, B. B., 28 vjeç, dhe E. F., 33 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë veterinerë shërbimi pranë Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i AZHBR-së, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.





