Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohej projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka tërhequr vëmendjen me batutat e tij ironike.
Korreshi ngriti me humor disa situata të pazakonshme për të ilustruar paqartësitë që sipas tij mund të krijojë ligji. Ai përmendi rastin e dhurimit të dy qenve nga një mik i tij, duke pyetur nëse një gjë e tillë duhej deklaruar si përfitim i marrë në cilësinë e deputetit apo thjesht si mik.
Deputeti vijoi me nota ironie, duke thënë se edhe situata të jetës private, madje edhe “çështjet e krevatit”, mund të interpretoheshin si konflikte interesi sipas mënyrës si është hartuar ligji, duke nënkuptuar se projektligji kërkon më shumë qartësi dhe kufij të saktë në zbatimin e tij.
“Kam nja dy pyetje konkrete, se duhet sqaruar konflikti i interesit. Të nderuara kolege se na duket e çuditshme që ju shohim aty. Ju i jeni referuar Suedisë dhe Danimarkës, apo jo! Po do ju kujtoj në humor të Fadil Hasës, kur erdhët nja 100 vite pas dhe 500 anësh. Si do i zgjidhni këto çështjet e dhuratave. Pjesa e parë është që kur të vjen dikush do të qirasë dhe thotë; po të jap një kafe. Ti thua; jo është konflikt interesit. Dje më dhuroi një shok im dy qen. Ta pyes, më dhuroi dy qen si deputet apo si Saimir. Kam dhe një gjë tjetër o Ulsi! Konflikt interesi! Gruaja nuk do që të shkojë me mua, por me deputetin që jam unë. Edhe këtu do të hyjmë! Të shkoj në krevat. Po lëre tani! A është konflikt ky?”, tha Korreshi.





