Deputeti i PD Tritan Shehu ka kërkuar sot nga Kuvendi një vendim për bllokimin e shitjes së fostoksinës në farmacitë bujqësore.

Në fjalën tij në Kuvend, ai u shpreh se është një substancë që lidhet shpesh me vetëvrasjen dhe u merr jetën dhjetëra të rinjve çdo vit.

“Sot një adoleshent ka ndërruar jetë në Elbasan, sepse ka konsumuar fotoksinë. E kam diskutuar disa herë që të hiqet nga farmacitë bujqësore, edhe atje ku përdoret të përdoret në masa të rrepte sigurie, e jo pa asnjë masë duke shtuar dëshirën për akte të tilla të rënda të rinjve. Çdo vit me dhjetëra njerëz largohen nga kjo jetë prej saj. E kam kërkuar disa herë të hiqet, por kam hasur një heshtje të plotë.
Ta zëvendësojmë me të tjera substanca jo të dëmshme, sepse është krijuar një lidhje psikologjike mes fotoksinës dhe vetëvrasjes. Ai që e merr, ka para vetëm një rrugë, një vdekje shumë të llahtarshme. Nuk ka kthim pas. Kërkoj një vendim nga Kuvendi për këtë çështje”,
tha ai.