Për ndarjen nga jeta të 15-vjeçarit E.B. i cili u plagos me thikë në zemër pak ditë më parë pas një sherri me bashkëmoshatarë të tij ka reaguar ish-kandidati për deputet dhe kreu i FRPD Durrës, Shyqyri Myrtollari.
Në një postim në rrjete sociale, Myrtollari e cilëson vdekjen e adoleshentit “një goditje e rëndë për shoqërinë shqiptare, veçanërisht kur kjo tragjedi vjen vetëm një vit pas vrasjes së 15-vjeçarit tjetër, Martin Cani-t, në shkollën “Fan Noli” në Tiranë”.
Sipas Myrtollarit, siguria në shkolla ka dështuar, sepse edhe pse qeveria mbylli TikTok-un vendimi nuk dha asnjë rezultat për të pasur shkolla më të sigurta.
“Rasti i Martin Cani-t duhej të kishte ndërgjegjësuar institucionet. Sot, me vdekjen e Erion Bobës, pyetja që rëndon është:
Ku dështuan institucionet? Kush duhet të mbajë përgjegjësi? Çfarë po bën Ministria e Arsimit? Çfarë po bën Ministria e Brendshme? Kush e ka neglizhuar detyrën? Ku janë mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve në shkolla?
Ne si shoqëri nuk mund të rrimë thjeshtë spektatorë të krimeve të adoleshentëve”,- shkruan ndër të tjera Myrtollari.
Postimi i plotë:
Ka ndërruar jetë sot në spital 15-vjeçari nga Durrësi, Erion Boba, i cili u plagos rëndë me thikë pak ditë më parë nga një bashkëmoshatar i tij në lagjen time, Durrësi i Ri.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Boba, zoti u dhëntë forcë të përballojnë këtë dhimbje të pamatë që ka pushtuar zemrat e tyre.
Ky është një trishtim i madh për familjen, por edhe për të gjithë ne. Është një goditje e rëndë për shoqërinë shqiptare, veçanërisht kur kjo tragjedi vjen vetëm një vit pas vrasjes së 15-vjeçarit tjetër, Martin Cani-t, në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.
Dy djem të mitur, dy jetë të këputura në vetëm një vit distancë.
Siguria në shkolla ka dështuar.
Qeveria mbylli TikTok-un me pretekstin se po ndalonte sherret mes të rinjve, por kjo ngjarje tregoi të kundërtën. Konflikti midis gjimnazistëve në shkollën “Dom Nikoll Kaçorri” në Durrës e nxori zbuluar se ky vendim nuk pati asnjë rezultat për sigurinë. U kuptua qartë që qëllimi nuk ishte mbrojtja e fëmijëve, por censura e rrjeteve sociale në prag zgjedhjesh.
Rasti i Martin Cani-t duhej të kishte ndërgjegjësuar institucionet. Sot, me vdekjen e Erion Bobës, pyetja që rëndon është:
Ku dështuan institucionet? Kush duhet të mbajë përgjegjësi? Çfarë po bën Ministria e Arsimit? Çfarë po bën Ministria e Brendshme? Kush e ka neglizhuar detyrën? Ku janë mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve në shkolla?
Ne si shoqëri nuk mund të rrimë thjeshtë spektatorë të krimeve të adoleshentëve.
Nuk mund të pranojmë justifikime delirantësh.
Pytja që godet sot, është:
Kush e ka radhën?
Shpirti i Erionit u prehtë në paqe.
Kujtimi i tij le të jetë një thirrje e fortë për reflektim dhe ndërgjegjësim.





