Prej më shumë se dy javësh në terminalin e kontejnerëve në portin e Durrësit operohet vetëm me një vinç, që realizon procesin e ngarkimit-shkarkimit të anijeve.

Kjo gjë ka sjellë vonesa të shumta në përpunimin e mjeteve lundruese, ka shtuar ditët e qëndrimit në radë të anijeve e në të njëjtën kohë ka rritur kostot e qëndrimit në radë dhe terminal, kostot e magazinimit në import dhe eksport dhe kostot e kontenierëve që qëndrojnë në porte tranzit.

Dëmi financiar për operatorët ekonomikë po shtohet dita-ditës.

“DurrësLajm” mëson se situata kritike në portin më të madh në vend është krijuar prej javësh, pasi terminali i kontejnerëve ka në funksion vetëm një vinç, nga 2 me të cilët operonte deri në mesin e muajit nëntor.

Dëmtimi i njërit prej vinçave ka krijuar vonesa të shumta në përpunimin e njësive TEU dhe për pasojë ka rritur ndjeshëm kostot për kompanitë përpunuese.

Spreaderi i vinçit Italgru u këput më shumë se 3 javë më parë dhe ra mbi një anije gjatë përpunimit të kontenierëve duke shkaktuar një incident serioz dhe kosto të madhe financiare për anijen Caledonia, që dëmtoi kapakët (dëm rreth 200 mijë euro). Ndërsa kostoja e spreaderit Ram të dëmtuar kap vlerën 300.000 € sipas burimeve.

Si pasojë e operimit në terminal vetëm me një vinç, një anije ndodhet prej 4 ditësh në kalatën portuale ndërsa 3 të tjera që prej 3 ditësh presin në radë.

Terminali i kontenierëve administrohet prej mëse një viti nga Autoriteti Portual Durrës dhe megjithëse në dispozicion të këtij terminali duhet të ishin 5 vinça, aktualisht vetëm një është në punë.

Për shkak të difekteve, mos riparimeve dhe mosmirëmbajtjes 4 vinçat e tjerë janë jo funksionalë.

Në një kohë që APD, në statistikat zyrtare për performacën 10-mujore të portit, njofton se sektori i konteinerëve ka shënuar rritje të ndjeshme me 15% përsa i përket njësive kontejnerike krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, operimi në terminal në fund të këtij viti është në pikë të hallit.

Operatorët ekonomikë konstatojnë problematika të theksuara në menaxhimin e terminalit, funksionalitetin e tij dhe aftësinë e APD për të garantuar në kohë rekord riparimin e vinçave, pa të cilët puna në këtë sektor nuk mund të vijojë.

Performanca pozitive në këtë terminal lidhet domosdoshmërisht me efikasitetin dhe shpejtësinë e operacioneve të ngarkim-shkarkimit.

Nëse këto hallka të zinxhirit operativ do të nisin të cedojnë, porti më i madh në vend rrezikon të humbë të vetmin sektor të përpunimit të mallrave që e menaxhon vetë.

Prej kohësh tashmë, volumet më të mëdha të mallrave gjenerale dhe rifuxho i përpunon porti MBM në Porto Romano dhe vetëm sektori i kontejnerëve ka mbetur në atë që deri para pak vitesh ishte porti më i madh në vend!

M.B.