Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje sipërmarrësve të huaj që të investojnë në Shqipëri.

Rama u shpreh se vendi ynë po ngrihet dhe transformohet, ndërsa u bëri ftesë që “bëhuni pjesë e historisë së suksesit që po ndërtojmë përpara se të jetë vonë”.

Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria nuk është shumë e madhe, ndaj u kërkoi që të nxitojnë e vrapojnë, siç deklaroi ai, para se hapësirat të mbyllen.

“Shqipëria po hyn në një kapitull të ri, që është sa i pëlqyeshëm aq edhe sfidues. Kemi stabilitet, ritmin, një shoqëri të re me talente e energji, kemi vullnetin për të ecur përpara.

Besoni te kjo Shqipëri që po ngrihet, investoni në këtë Shqipëria që po transformohet, bëhuni pjesë e historisë së suksesit që po ndërtojmë, përpara se të jetë vonë dhe Shqipëria nuk është shumë e madhe, ndaj nxitoni e vrapon përpara se hapësirat të mbyllen.

E ardhmja është diçka që po e ndërtojmë çdo ditë, ndërtojmë së bashku. Shpresoj ta kuptoni sa seriozisht e kam marrë këtë ftesë për të ardhur këtu me fjalim të shkruar dhe sa seriozisht e mora kohën tuaj, duke më siguruar qe fjalimi im ë mos jetë aq i gjatë sa zakonisht”, tha Rama.