Klubi i Teutës do të arkëtojë afro 200 mijë euro nga shitja e Sherif Kallakut në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit. Edhe pse deri në momentet e fundit ka pasur negociata me një skuadër turke, fantazisti dhe presidenca durrsake janë bindur për ta lëshuar lojtarin te Lokomotiva.

Kallaku do t’i bashkohet skuadrës së re më 8 gusht, kur edhe do të nisë përgatitjet për Ligën e Kampioneve. Për herë të parë në historinë e klubit, Lokomotiva do të marrë pjesë në Champions.

Fantazisti do të luajë ndeshjen e fundit me Teutën të dielën, pikërisht në finalen e Kupës mes durrsakëve dhe Tiranës në stadiumin “Air Albania” në orën 20:00.

Ndërkohë, në tribunën ballore të “Niko Dovanës” dje ultrasit durrsakë kishin shpalosur një banderolë në shenjë mirënjohjeje për lojtarin, ku shkruhej: “Faleminderit Kallaku”, – “Djemtë e detit”.