Një në dy persona në Europë ka probleme me shëndetin oral. Edhe Shqipëria nuk mbetet pas këtyre shifrave.
Stomatologët thonë se të rinjtë janë ata të cilët kujdesen më së shumti për shëndetin e tyre oral krahasuar me pjesën tjetër të popullatës.
“Problematikat dentare në popullatën shqiptare është e ndarë në mosha. Problemi më i madh është simptomatologjia që i sjell ato. Moshat e reja kanë pjesën estetike“, u shpreh Hydajet Ponari, stomatolog.
Sipas stomatologëve, për pjesën më të madhe të popullatës shërbimi dentar mbetet i kufizuar, edhe për shkak të kostove financiare.
“Moshat e treta, moshat e mesme, ku krahas problematikave me mundësinë për të marrë shërbim, kuptohet që mundësitë janë të kufizuara për pjesën më të madhe të popullatës”, sqaron stomatologu.
Për sa i përket fëmijëve, 35% e tyre kanë probleme me shëndetin oral, por stomatologët thonë se nga viti në vit shohim një përmirësim të shëndetit oral tek fëmijët dhe kryesisht nga kujdesi i treguar që herët.
Sipas OBSH-së, 15% e popullatës globale ka probleme me prishjen e dhëmbëve, e për këtë arsye stomatologët rekomandojnë larjen e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë, si forma më e mirë për t’i ruajtur ato.





