Një tjetër hije skandali rëndon mbi administrimin e aseteve të sekuestruara nga shteti. Pas rastit të zhdukjes së verës së biznesmenit Ergys Agasi gjatë kontrolleve të BKH, rezulton se brenda vetëm një muaji kanë “avulluar” pa asnjë shpjegim zyrtar edhe 31 dele të sekuestruara.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), në një ankand të zhvilluar në muajin mars 2025, ishin shpallur për shitje 87 dele të racës Lakon Franceze, me vendndodhje në Darësh, Komuna Linzë. Ankandi u anulua për mungesë pjesëmarrësish, një procedurë e zakonshme në raste të tilla.
Por pak ditë më vonë, situata ndryshon në mënyrë të pashpjegueshme. Në prill 2025, tenderi rihapet, por në dokumentacionin zyrtar këtë herë figurojnë vetëm 56 dele, pra 31 krerë më pak krahasuar me një muaj më parë.
Asnjë dokument zyrtar nuk sqaron se çfarë ka ndodhur me këto 31 dele. Pyetjet mbeten pa përgjigje: ngordhën, u vodhën, u zhdukën nga pakujdesia apo bëhet fjalë për keqadministrim?





