Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Prishtinë rreth orës 9:40.
“Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive”, tha Kurti para gazetarëve.
Ndërkohë më herët ka votuar edhe Kandidat i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u shpallën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e miratoi asnjërin prej dy kabineteve qeveritare që u propozuan.
Në zgjedhjet e sotme garojnë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë. Nga to, 8 subjekte politike janë të shqiptarëve me 624 kandidatë që synojnë 100 vendet në Kuvend, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve që garojnë për 20 ulëset e garantuara.





