Ai e deklaroi këtë gjatë një takimi për prezantimin e drejtimit të ri të Departamentit “Brain Gain” në selinë blu. Berisha premtoi se do kishte një zgjidhje nëpërmjet ndryshimeve statutore dhe nuk do lihej në dorën e kryetarit apo partisë.
Teksa foli për të rinjtë që lanë punët e tyre dhe të ardhmen jashtë Shqipërisë për t’u kthyer pranë PD ai tha:
“Çfarë sollën këta? I sollën edhe një vlerësim të madh për Partinë Demokratike, e cila kishte arritur transformime epokale në Shqipëri. Departamenti Brain Gain nuk qëndroi vetëm te parimet, por kaloi edhe në veprime shumë të rëndësishme. Nismat e këtij departamenti kanë qenë më themeloret, më të rëndësishme të ndërmarra nga ndonjë departament në historinë e PD. Propagandë mashtruese kërcënonte qëllimin e saj. Krenar për qenien e tyre si demokrat dhe krenar për qenien si shqiptar. Se cili prej tyre mund të qëndronte jashtë, por ata erdhën në kohën e simboleve e simbolikave, erdhën në kohë të mjergullt. Sollën risi të mëdha, vizion, vlera dhe krijuan në kushte jo të lehta reputacionin që meritonin”, u shpreh kryedemokrati.
Lideri i selisë blu më tej bëri “mea culpa” për të dy departamentet, duke deklaruar se tani do të zgjidheshin problemet.
“Rrethana komplekse, duhet ta pranoj këtu, bënë që PD të mos ishte e hapur në kuptimin më të plotë të fjalës për integrimin e tyre dhe këta djem e vajza nuk morën vendet që meritonin në forumet e kësaj partie, nuk gjetën hapësirat që meritonin në zhvillimet e mëpasme. Duhet ta pranoj, se PD ka problem themelor ndaj këtij departamenti dhe ndaj Diasporës. Të cilëve duhet t’i japë përgjigje sa më parë, procedurat e përcaktuara nga kjo parti, u mungon karakteri universal që duhet të ketë partia”, u shpreh ai.
Berisha nënvizoi se PD nuk është vetëm e shqiptarëve që jetojnë brenda vendit, por edhe e të rinjve dhe diasporës jashtë, në çdo qytet botëror.
“Kjo nuk është vetëm parti e atyre që jetojnë në Tiranë, Tropojë apo Gjirokastër, por parti edhe atyre që jetojnë në Londër, Uashington e kudo. Nuk është e degëve të saj si në Durrës apo Peqin, por edhe e degëve si në Athinë, Paris dhe degëve të tjera”, vijoi ai.
Dhe premtoi zgjidhjen me statut:
“Është e domosdoshme që këto mangësi të marrin përgjigje statutore. Nuk duhet të jenë zgjidhjet çështje vullneti të kryetarit apo partisë, por duhet të ketë garanci statutore. Në këtë kuadër ne i japin përgjigjen më të mirë, korrigjojmë padrejtësinë që është bërë ndaj tyre dhe ndaj diasporës. Dhe kjo duhet të finalizohet me përcaktime të qarta në statutin e partisë”.





