Kryeministri Edi Rama ka reaguar për mungesën e ujit të pijshëm në Vlorë, problematikë që vijon prej pesë ditësh dhe që solli reagimin e qytetarëve.
Në një reagim në rrjete sociale, kryeministri ka ndarë një foto nga dëmtimi që është pësuar në Ujësjellësin e Vlorës, si edhe pajisjet e reja që po sillen nga Stambolli.
Sipas tij, pajisjet që kanë qenë të instaluara në ujësjellës ishin prej vitit 2009 dhe “nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer”.
Një ndjesë kërkon për qytetarët e Vlorës si edhe një falenderim për punonjësit e Ujësjellësit, për të cilët thotë se po bëjnë të pamundurën për të riparuar problematikën.
“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë”, shkruan mes të tjerash Rama.
Banorët e qytetit protestuan ditën e djeshme para vendit ku punonjësit e bashkisë po mbanin festën e fundvitit, ndërsa sot u mblodhën para godinës së bashkisë duke kërkuar zgjidhjen e menjëhershme.
Reagimi i plotë i Ramës:
Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…
Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën
Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë.





