Kreu i degës lokale të Partisë Demokratike në Durrës, Ardian Muka, në këtë prag ndërrimi vitesh ka disa sugjerime për bashkinë, me qëllim që vitin e ardhshëm të përmirësohen disa nga shërbimet publike, të cilat në shumicën e rasteve, vit pas viti, paraqesin të njëjtat problematika të pazgjidhura.
Muka rekomandon që një fond i caktuar të shkojë për një studim të mirëfilltë nga institucione të specializuara për të zgjidhur problematikën e përmbytjeve. Vit pas viti akordohet një fond i caktuar për dëmshpërblimin e familjeve të përmbytura, por pushteti vendor sipas Mukës ka dështuar deri më tani në parandalimin e përmbytjeve në zona të caktuara.
Të tjera sugjerime për kryedemokratin e Durrësit janë për zgjidhjen e problematikës së parkimeve me pagesë në qytet dhe shfrytëzimin e hapësirave në plazhet e vijës bregdetare nga subjektet private.
Prononcimin e tij të plotë për “DurrësLajm” e ndiqni në videon e mëposhtme:





