Aktori i njohur Will Smith është paditur për ngacmim seksual nga violinisti Brian King Joseph.

Joseph, 32 vjeç, u bë i njohur pasi u rendit në tre finalistët më të mirë të America’s Got Talent në vitin 2018. Sipas dokumenteve gjyqësore të shqyrtuara nga Daily Mail, ai u punësua për koncertet e Smith në vitin 2024, pasi kishte luajtur më parë për aktorin në banesën e tij.

Në padi, Joseph pretendon se gjatë një ndalese të turneut në Las Vegas, marsin e kaluar, ai u kthye në dhomën e hotelit rreth orës 23:00. Sipas tij, në dhomë ishte lënë një shënim me dorë ku shkruhej: “Brian, do të kthehem jo më vonë se 5:30”, i shoqëruar me një zemër dhe firmosur “Stone F.”.

Paditësi pohon se bashkë me shënimin ndodheshin edhe sende personale, përfshirë peceta, një shishe birre, një çantë shpine të kuqe, një shishe me ilaçe për HIV me emrin e një personi tjetër, një vath dhe dokumente spitalore të një personi të panjohur për të.

Joseph thotë se u frikësua se dikush mund të kthehej në dhomën e tij për të kryer veprime seksuale, ndaj e raportoi incidentin te sigurimi i hotelit, në polici dhe tek ekipi menaxhues i Smith.

Megjithatë, ai pretendon se më pas u pushua nga puna dhe u zëvendësua, çka sipas tij i shkaktoi “stres të rëndë emocional, humbje ekonomike, dëmtim të reputacionit dhe dëme të tjera”, si edhe probleme të tjera të shëndetit mendor.

Në padi, Joseph shton se “faktet sugjerojnë” se Smith po e “përgatiste dhe manipulonte qëllimisht” për “shfrytëzim të mëtejshëm seksual”.

Nga ana tjetër, avokati i Will Smith, Allen B. Grodsky, i ka mohuar akuzat në një deklaratë për Daily Mail, duke i cilësuar ato si “të rreme, të pabazuara dhe të pamatura”.