Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, “do të japë llogari dhe do të ndëshkohet” për rolin e tij, siç u shpreh, në drejtimin e një karteli të rrezikshëm të drogës.

“Nikolas Maduro, një diktator dhe kriminel, do të mbajë përgjegjësi dhe do të ndëshkohet si kreu i një karteli shumë të rrezikshëm narkotikësh. Ai dhe bashkëshortja e tij ndodhen aktualisht në një anije që përfundimisht do të mbërrijë në Nju Jork”, tha Trump. Sipas tij, bandat e financuara ndër vite nga Maduro “kanë përhapur terror dhe vdekje në Shtetet e Bashkuara”, duke theksuar se ish-udhëheqësi venezuelian “nuk do të jetë më në gjendje të kërcënojë jetët e qytetarëve amerikanë”.

Në vijim të fjalimit të tij, Trump u ndal edhe te e ardhmja politike e Venezuelës, duke deklaruar se SHBA do të mbajë nën kontroll zhvillimet deri në një tranzicion të rregullt. “Do t’i përshpejtojmë proceset në Venezuelë derisa të ketë një kalim të qetë pushteti. Nuk do të rrezikojmë asgjë. Ne duam paqe dhe drejtësi për qytetarët e vendit dhe që ata të rikthehen të lirë në atdheun e tyre”, u shpreh ai.

Trump theksoi se Uashingtoni nuk do të lejojë askënd të shfrytëzojë boshllëkun e krijuar pas largimit të Maduros dhe se SHBA do të mbetet e angazhuar deri në një “tranzicion normal dhe demokratik”. Ai shtoi gjithashtu se kompanitë amerikane të naftës do të rikthehen menjëherë në Venezuelë me investime miliardëshe, duke deklaruar se bashkëpunimi i ri mes SHBA-së dhe Venezuelës “do t’i bëjë qytetarët e vendit më të pasur, më të pavarur dhe më të sigurt”.