Një vajzë 13-vjeçare në qytetin Peristeri të Greqisë, u dërgua në Spitalin e Fëmijëve “Agia Sophia” pasi dyshohet se i ka rënë të fikët për shkak të konsumimit të alkoolit. Mediat greke bëjnë me dije se, autoritetet vunë në pranga si babain e të miturës ashtu edhe një punonjës të kioskës i cili dyshohet se shiti shishen e alkoolit. 

Incidenti ndodhi pak pas mesnatës së së martës, ku një vajzë 13-vjeçare bleu ilegalisht pije alkoolike nga një kioskë në Peristeri. Besohet se e mitura humbi ndjenjat dhe u desh të transportohej me ambulancë në Spitalin e Fëmijëve “Agia Sophia” për ndihmën e parë.

Nxënësja 13-vjeçare  thuhet se ishte me shoqet e saj kur i ra të fikët. Siç raportohet nga autoritetet, në rastin që ndodhi në qendër të Peristerit, si punonjësja e kioskës në zonën ku ajo bleu alkoolin, ashtu edhe babai i saj u arrestuan me akuzën e neglizhencës ndaj një të mituri.