Gjovalin Lazri, mjeshtër i madh i violonçelit, është shuar ditën e sotme. Lazri është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare.
Prej muajsh, Gjovalin Lazri vuante nga një sëmundje e rëndë. Vetëm një javë më parë, Presidenti Ilir Meta, i akordoi Lazrit titullin “Mjeshtër i Madh”, titull të cilin e tërhoqi i biri Gjergji, pasi vetë volonçelisti ishte shumë sëmurë.
Kush është Gjovalin Lazri?
Gjovalin Lazri lindi në Shkodër më 13 tetor 1936. Ne vitin 1950 -1958 ndoqi Liceun Artistik “J. Misja”, Tiranë me Prof. Boris Skabllov, Matej Guralumi dhe Ymer Skenderi.
Ne vitin 1959 fillon studimet e larta ne Akademinë e Muzikës dhe Arteve ne Pragë.
Më pas ka punuar si mësues violonçeli dhe zv/Drejtor Artistik i Shkollës se Mesme Artistike “Jordan Misja”, ne Tirane.
Gjatë ketyre viteve ka përgatitur breza te tërë artistësh violonçelist, ka debutuar vetë si solist. Ndër vite ka botuar artikuj, metoda, dhe studime profesionale ne fushën e artit dhe te kulturës.
Gjovalin Lazri ka qenë kryetar i “Bërthamës Shkencore Metodike” ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës në dobi të kualifikimit metodik dhe profesional të kuadrit të shkollave artistike të vendit.
Ai është aktivizuar rregullisht në shtypin e kohës dhe i ftuar në emisione në Radio Televizionin Shqiptar si njohës i pedagogjisë muzikore, si dhe për diskutime e opinione për figura të shquara të artit tonë kombëtar. Por kontributi i tij më imadh është në fushën e muzikës.
Titujt që ka marrë Lazri
1972 — Medalja “Naim Frashëri”
1977 — Medalja “Naim Frashëri” (Dekret 4932)
1984 — Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit III (Dekret 6913)
2020 — “Mjeshtër i Madh” – Akorduar nga President i Republikës