Këshilltarët bashkiakë të Partisë së Lirisë në KB Durrës kanë kërkuar një interpelancë me kryetaren e bashkisë Emiriana Sako, lidhur me situatën e rëndë të krijuar nga përmbytjet.
Në kërkesë theksohet se 5 këshilltarët e PL “kërkojmë llogaridhënie urgjente, transparencë të plotë dhe mbajtje përgjegjësie për mungesën e parandalimit, menaxhimin e situatës dhe reagimin institucional, duke vendosur në qendër interesin dhe sigurinë e qytetarëve të Durrësit”.
Lajmin e bën të ditur këshilltarja bashkiake Anisa Ibraj, përmes një postimi në rrjete sociale.
Postimi i plotë:
Sot, më datë 09.01.2026, Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Durrësit ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për zhvillimin e një interpelance me Kryetaren e Bashkisë Durrës, lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga përmbytjet e fundit në territorin e bashkisë.
Kjo interpelancë vjen si domosdoshmëri për të kërkuar shpjegime të qarta dhe transparente mbi masat e marra para, gjatë dhe pas kësaj situate emergjente, si dhe për të evidentuar përgjegjësitë institucionale për dëmet e shkaktuara tek qytetarët, banesat, bizneset dhe infrastruktura publike.
Ne kërkojmë llogaridhënie urgjente, transparencë të plotë dhe mbajtje përgjegjësie për mungesën e parandalimit, menaxhimin e situatës dhe reagimin institucional, duke vendosur në qendër interesin dhe sigurinë e qytetarëve të Durrësit.







