Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po mban një takim në një tryezë të përbashkët me partitë e opozitës, shoqërinë civile dhe intelektualët. Ai e konsideron të rëndësishëm këtë takim për strategjinë që do të ndjekin për të rrëzuar siç tha ai regjimin e Ramës.
Berisha u shpreh se Shqipëria vlerësohet si një rrezik për Evropën, ndërsa tha se është Rama ai që krijoi narko shtetin.
“Shpreh bindjen se konkluzioni apo përfundimi i këtij takimi me një front të përbashkët në këto kohë kritike që kalon Shqipëria është përgjigjja më e duhur, është përgjegjësia më e vërtetë që ne marrim në këtë momente para vendit dhe kombit tonë.
Sot Shqipëria, vlerësohet si një rrezik, si një narko shtet, rrezik për Evropën. Ky narko shtet u krijua nga qeveria aktuale dhe Edi Rama për qëllimet më ogurzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.
Berisha po ashtu kujtoi vitin 2015 kur siç tha ai Shqipëria u mboll me kanabis. Sipas tij, propaganda qeveritare u servirte shqiptarëve si një mundësi e re pasurimi dhe zhvillimi, por kjo politikë u kundërshtua nga njerëz të përgjegjshëm.
“Ish-zv. kryeministri paralajmëroi Edi Ramën se ky është shkatërrimi i ekonomisë, kurse ai insistoi se kjo është para dhe paraja është e rëndësishme. Në asnjë vend nuk kanë provuar si shqiptarët sesa toksike është paraja e drogës, paraja e karteleve, sesa shkatërrimtare është për ligjin dhe ekonominë e një vendi kjo para. Sot ne përfundojmë një vend aleat i NATO-s, rrezik për Evropën. Duhet t’i njohim një meritë Donald Trump që shpalli kartelet e drogës organizatat terroriste. Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës, ose krahas Kolumbisë. Shqipëria zyrtare sot është koka e karteleve më të fuqishëm në Evropë’, tha Berisha.





