Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është drejt objektivit strategjik për ta bërë vendin tonë sovran në prodhimin e energjisë.
Në fjalën e tij në parkun eolik të Tropojës, kreu i qeverisë deklaroi se koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit.
Sipas kryeministrit, parku me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP është dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme.
“Edhe ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë vend sovran në prodhimin e energjisë.
Kur na ka munguar shiu na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar dhe të blejmë energji me çmime të kripura, ndërsa kur shiu ka ardhur me shumicë shumë nga kjo vlerë potenciale që është uji të derdhet. Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit. Do të jemi në kategorinë e atyre vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna të prodhimi i kësaj lënde vitale për organizmin e një shteti.
Uji do të mbetet burimi kryesor, por kur energjia e diellit dhe erës kanë filluar të zënë vendin e tyre, vend që deri në fund të kësaj dekade do të jetë 30%, Me këtë 30% do kemi të garantuar që sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm dhe cdo gjë e prodhuar përtej nevojave tona do ta eksportojmë. Kjo do të thotë jo më para për të blerë energji, por energji e shitur për të sjellë më shumë të ardhura”, tha Rama.





