Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria ka arritur një nivel të ri në fushën e energjisë, duke u pozicionuar si një partner strategjik për investimet ndërkombëtare, përfshirë Arabinë Saudite, Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në Parkun eolik të Tropojës, ai nënvizoi se vendi ka kapacitete të garantuara për mundësi eksporti drejt Europës si prodhues 100% i energjisë së pastër, duke e bërë Shqipërinë një treg strategjik me vlerë të lartë për investitorët ndërkombëtarë. Sipas tij, Shqipëria është treg i vogël, por është një pikë me një nivel të madh strategjik.
“Kompania na ka bërë përshtypje në sensin e përgjegjësisë sociale, qoftë në aspektin e kujdesit, apo të vëmendjes për të mbështetur komunitetin dhe zhvillimin atje. Kjo kompani vërtet ka zënë një vend të merituar në territorin e respektit tonë dhe unë jam shumë falënderues. Dua të them që sot Shqipëria është në një nivel krejt tjetër, është krejt tjetër. Mendoj që një dekadë më parë që askush nuk e mendonte që Shqipëria do të behej palë trepalësh me Arabinë Saudite në investimet në energji.
Nevojat tona të brendshme për sovranitetin tonë ne i kemi të garantuara. Rritja e kapaciteteve këtu në Shqipëri, nga njëra anë të kontribuojmë për energjinë në Europë, por nga ana tjetër ne të kemi të ardhura. Do të kemi edhe një avantazh tjetër shumë të madh, për shembull në raport me Serbinë, sepse ne jemi 100% të gjelbër në prodhimin e energjisë, ne nuk e kemi barrën që t’i paguajmë të shkuarës taksën e karbonit, e cila në Serbi është shumë më e rëndë. Për këtë arsye kompanitë e shikojmë me shumë interes Shqipërinë. Italia dhe Emiratet janë të fokusuar në partneritet me ne, është se Shqipëria ka këtë avantazh, që prodhon dhe shet energji të pastër, vlera e së cilës në portofolin e Europës është shumë më e lartë. Shqipëria është treg i vogël, por është një pikë me një nivel të madh strategjik”, tha kryeministri Rama.





